Fillimi

Presidentja po shqyrton kërkesën për KOMRA-n

КОHА

Presidentja po shqyrton kërkesën për KOMRA-n

Presidentja po shqyrton kërkesën për KOMRA-n

Publikuar: 14.05.2012 - 09:31

Prishtinë, 14 maj – Presidenca e Kosovës ende nuk ka dhënë vlerësim lidhur me iniciativën për formimin e Komisionit Regjional (KOMRA) për vërtetimin e fakteve për krimet e luftërave dhe të shkeljeve të tjera të rënda të drejtave të njeriut, të kryera në hapësirën e ish-RSFJ-së gjatë periudhës kohore 1991-2001. Përderisa presidenti malazias, ai kroat dhe njëri nga anëtarët e Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës e kanë mbështetur dhe pranuar zyrtarisht kërkesën për formimin e këtij komisioni nga Koalicioni për KOMRA-n, i përbërë nga 1 mijë e 800 organizata joqeveritare të vendeve të ish-Jugosllavisë, zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka deklaruar se presidentja Jahjaga është duke e shqyrtuar kërkesën.

“Është duke u shqyrtuar kërkesa për KOMRA-n. Në momentin që të kryhet shqyrtimi, do të dalim me qëndrimin dhe vendimin se si do të bëhet. Kemi pranuar edhe letër nga presidenti i Malit të Zi për këtë çështje”, ka thënë Vllahiu.

E drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare - Kosovë, Bekim Blakaj, ka sqaruar se ideja e Koalicionit për KOMRA-n, është që kërkesat për formimin e Komisionit të dërgohen te të gjithë presidentët e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, ngase secili prej tyre “përfaqëson unitetin”.

Blakaj ka treguar se vetëm nga Kosova, janë mbi 60 organizata joqeveritare, të cilat janë pjesë e Koalicionit për KOMRA-n. Numri i nënshkrimeve nga të gjitha shtetet, sipas tij, ka arritur në mbi gjysmë milioni nënshkrime.

Po ashtu koalicioni për KOMRA-n, ka zgjedhur nga një “lobues” për secilin shtet, i  cili do të prezantojë këtë nismë nëpër institucione shtetërore.

“S’besoj që ka politikan që thotë se nuk i intereson se çka ka ndodhur nga 1991 deri në 2001. Kjo është çështje humanitare. Diku nga viti 2013 mendohet të krijohet komisioni dhe shoqëria civile do ta monitorojë nga afër themelimin, zgjedhjen e komisionarëve si dhe mandatin e tyre”, ka thënë Blakaj. Koalicioni për KOMRA-n ka formuar edhe një statut për komisionin të cilin presin që ta pranojnë të gjitha shtetet.

Pasi që të formohet Komisioni, Blakaj, ka bërë të ditur se ata duhet ta përpilojnë listën e të gjithë personave të zhdukur apo të vrarë gjatë periudhës 1991-2001.

Sipas të dhënave të Fondit që drejton Blakaj, vetëm në Kosovë, është arritur të dokumentohen detajisht 13 mijë e 100 persona që janë zhdukur apo janë vrarë nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Ideja për formimin e Komisionit për KOMRA, ka filluar prej viti 2008 nga shoqëria civile e shteteve të dala nga RSFJ-ja që janë Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Sllovenia (më gjerësisht në “Kohën Ditore”).